Më 24 nëntor 2017, në hotelin “Bushi” në Shkup, ekipi i projektit “Parlamenti Kombëtar Rural si Zëri i Popullatës Rurale” ka organizuar një punëtori të dedikuar “Rrjetëzimi rajonal dhe ndarja e praktikave më të mira në fushën e politikave për zhvillim rural“.
Qëllimi i punëtorisë ishte të niset një dialog mes sektorit qytetar të viseve rurale dhe krijuesit të politikave në nivel kombëtar për të siguruar pjesëmarrje të shoqërisë qytetare në proceset e marrjes së vendimeve. Punëtoria ka prezantuar perspektiva zhvillimore për vendin dhe rajonin të cilat janë me interes të përbashkët për krijuesit e politikave dhe përdoruesit e atyre politikave. Përvojat e ndara nga përfaqësues të organizatave nga Serbia, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, të cilët punojnë në fushën e zhvillimit rural, kanë siguruar mundësi për rrjetëzim dhe ndarje të praktikave me të mira në fushën e politikave për zhvillim rural në rajon.
Prezantimi i përgatitur nga përfaqësues i MPBEU, Valentina Stojanoviq-Tufa, ka dhënë një pasqyrë të përpjekjeve të bëra për përmirësimin e dialogut mes krijuesve të politikave për bujqësi dhe zhvillim rural dhe sektorin qytetar. Ky prezantim ka nisur një panel diskutim për mënyrat e përmirësimit të politikave për zhvillim të qëndrueshëm në fushat rurale me anë të bashkëpunimit të autoriteteve kombëtare me sektorin qytetar.
Panelistët më poshtë kanë ndarë përvojat nga vendet e tyre në kontekste të ndryshme:
- Trajan Dimkovski – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit të RM;
- Maja Markovska – Milieukontakt Maqedoni;
- Dragan Roganoviq – Rrjeti Rural i Serbisë;
- Julia Bakota – Rrjeti Rural i Kroacisë.
Panel diskutimi ju ka mundësuar shumë palëve dhe organizatave qytetare të përhapin njohurinë e tyre për rrjetëzimin dhe mënyrat potenciale për përmirësimin e dialogut mes krijuesit e politikave për zhvillim rural dhe sektorin qytetar. Me qëllim të kuptimit më të lehtë të gjendjes aktuale të mjediseve rurale në Ballkanin Perëndimor, panelistët kanë ndarë përvoja lidhur me dialogun mes sektorit qytetar dhe krijuesit e politikave për zhvillim rural, duke theksuar disa prej pengesave që paraqiten në këtë proces. Në fund, ata kanë shtuar rekomandime të tyre për përmirësimin e dialogut mes krijuesve të politikave për bujqësi dhe zhvillim rural dhe sektorin qytetar.
Pas panel diskutimit, kanë vijuar shembuj pozitiv të rolit të sektorit qytetar dhe pjesëmarrja e tyre në zbatimin e aktiviteteve për zhvillim të qëndrueshëm në mjediset rurale.
- Vasko Haxhievski ka ndarë rezultatet e hulumtimit të zbatuar në kuadër të projektit “Komiteti kombëtar për bujqësi familjare në Republikën e Maqedonisë” që ka pasur për qëllim të përcaktojë gjendjen e ekonomizimit të bujqësisë familjare në Maqedoni dhe roli përkatës në zhvillimin rural.
- Përfaqësuesi i Rrjetit për Zhvillim Rural të Shqipërisë, Albana Hasmeta, në sajë të temës “Zhvillimi ekonomik i grave në mjediset rurale” ka prezantuar gjendjen aktuale të gruas shqiptare në lidhje me arsimin dhe pozitën në tregun e punës, ka ndarë shembuj të praktikave të mira dhe ka prezantuar sfidat që shtrihen përpara në procesin e përmirësimit të pozitës ekonomike të gruas rurale.
- Dushko Vcetinoviq, kryetar i shoqatës së qytetarëve “Nesto Vise” nga Bosnja dhe Hercegovina, i prezantoi rezultatet nga tre projektet të synuar për të rinjtë në mjediset rurale. Me anë të programit për bursë në BiH janë dhënë 85 bursa për studentë që në vit kanë realizuar 500 orë pune në dobi të komunitetit. Projekti “Punëso me anë të vullnetarizmit – bëj vullnetarë për t’u punësuar” në vitin 2010 ka punuar në promovimin e vullnetarizmit dhe institucionalizimin e kësaj dukurie. Projekti “Shkathtësi jete për të ardhmen – Ejani të mësojmë, ejani të bëjmë!” ka kontribuar për zhvillimin e shkathtësive sipërmarrëse tek nxënësit e klasës 7, 8 dhe 9 dhe përgatitjen e tyre për konkurrencë më të madhe në tregun e punës.
- “Rrjetëzimi rajonal dhe shkëmbimi i praktikave të mira në fushën e politikave për zhvillim” ishte tema në të cilën u fokusua kryetari i Rrjetit për Zhvillim Rural i Republikës së Maqedonisë, Petar Gjorgievski. Në prezantimin e tij, ai theksoi rëndësinë e rrjetëzimit në procesin e përhapjes së inovacioneve dhe praktikave të mira, lidhje të aktorëve rural, stimulim të projekteve për bashkëpunim dhe tejkalim të izolimit me të cilën përballohen disa rajone rurale. Më tutje, i njoftoi të pranishmit me llojet e rrjeteve siç janë: rrjetet institucionale nga të financuar nga Komisioni Evropian dhe rrjetet joformale në nivel evropian, kombëtar, rajonal dhe lokal, që nuk janë të financuar nga Komisioni Evropian. Si model për rrjetëzim rajonal, ka prezantuar Rrjetin Ballkanik për Zhvillim Rural që bashkon rrjetet për zhvillim rural të Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Shqipëri dhe Kosovë.
- Dragan Roganoviq, kryetari i Rrjetit për Zhvillim Rural të Serbisë, në fushën e turizmit rural, ka mbajtur vëmendjen e të pranishmëve me prezantimin e tij interesant për projektin e zhvillimit të turizmit rural në fshatin Rudno dhe parkun kombëtar “Golija”. Projekti zbaton një sërë aktivitetesh në 5 komuna që përfshijnë parkun kombëtar “Golija”, mes të cilëve: zhvillimi i pilot qendrave për mbrojtje, zhvillim dhe promovim; përmirësimi i kapaciteteve të popullatës lokale për zhvillim të turizmit rural; mbështetje e 5 komunave për bashkëpunim të ndërsjellë për zhvillimin e turizmit rural dhe përmirësimi i infrastrukturës turistike (shënimi i rrugëve për shëtitje në mal dhe çiklizëm, etj.).
Prezantimet kanë nxitur diskutim mes të pranishmëve dhe ishin sjellë konkluzionet më poshtë:
– Rritje të përfshirjes së banorëve lokal/aktorëve në përgatitjen e strategjive dhe programeve është me rëndësi thelbësore, sepse kjo është mënyra e vetme që të funksionojnë masat për zhvillim rural.
– Mekanizmat dhe veglat e zhvilluara nga organizata të ndryshme joqeveritare mund të lehtësojnë krijimin e strategjive dhe politikave në nivel lokal, andaj duhet të merren parasysh në mënyrë më serioze.
– Kur dizajnohen politikat, me rëndësi është të vendoset mekanizëm për kthim të informacioneve nga niveli lokal në nivelin kombëtar. Kjo është me rëndësi që të kontrollohet nëse politikat dhe masat janë të zbatueshme dhe a zbatohen me lehtësi.
– Efikasiteti i administratës shtetërore duhet të përmirësohet, por edhe popullata lokale, duhet të kuptojë që nëse respektohen qasjet pjesëmarrëse, ato marrin shumë kohë.
– Shoqëria qytetare, veçanërisht personat që jetojnë në viset rurale, duhet vazhdimisht të ngritin kapacitetet për të qenë të përgatitur për pjesëmarrje aktive në përgatitjen e strategjive dhe programeve në nivel lokal ose kombëtar.